
Një sasi prej 218 885 eurosh të padeklaruara dhe një sasi vere, e dyshuar kontrabandë, janë sekuestruar këtë të diel në Portin e Vlorës.
Policia bën të ditur se për këtë rast ka vënë në pranga shtetasin A.B. 50 vjeç.
“Shërbimet e PKK Port Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Vlorë, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, një mjet kamion tip "DAF", me drejtues shtetasin A. B.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin që ky shtetas drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 218 885 euro të padeklaruara sipas përcaktimeve ligjore në fuqi dhe kuti me shishe vere, pa faturë blerjeje.
Në përfundim të veprimeve në kuadër të operacionit “Excise”, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 50 vjeç, banues në Vlorë, për veprat penale "Mosdeklarimi i të hollave dhe i sendeve me vlerë në kufi", "Pastrimi i produkteve të veprës penale” dhe “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, njofton policia. (A2 Televizion)