
Ende asnjë datë për rifillimin e dialogut Prishtinë-Beograd, në Bruksel. Këtë e konfirmoi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili bëri të ditur se për çfarë bisedoi me ndërmjetësuesin e Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.
Gjithashtu, tha se reciprociteti ndaj Serbisë nuk është masë ndëshkuese, teksa i kërkoi këtij shteti që të ndryshojë Kushtetutën për të gjetur një zgjidhje finale për dialogun.
“Nuk kemi biseduar tema të cilat nuk janë përmendur në komunikatë, nuk ka pasur diçka të re që do të mund ta ndaja me juve si lajm. Nuk do të ketë takim para 6 tetorit kur kemi samitin në Slloveni midis BE-së dhe gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, nuk ka një datë të caktuar se kur do të jetë takimi ynë i radhës. Ndërkohë, zëvendëskryeministri im, i cili është përgjegjës për integrim evropian, zhvillim dhe dialog ka pasur takime në Bruksel, ai diskuton hollësitë sidomos të çështjes së të zhdukurve me forcë. Nuk kemi diskutuar fare për çështjen e arkivave. Kemi diskutuar për propozimet tona që i kemi dhënë për raportet me Serbinë dhe Ballkanin Perëndimor në përgjithësi. Gjithashtu, nuk e kemi diskutuar as çështjen e reciprocitetit, përveçse unë kam theksuar që krerët e shteteve të vendeve evropiane, por jo vetëm, kanë pranuar një letër nga unë, në të cilën janë të renditura shkeljet që po bën Serbia”, tha Kurti. (A2 Televizion)