Seria A, Atalanta befason Juventusin dhe merr vendin e tretë

Nga A2 CNN
18 Prill 2021, 16:55 | Futboll
Seria A, Atalanta befason Juventusin dhe merr vendin e tretë

Atalanta fitoi 1-0 përballjen direkte ndaj Juventusit për zonën Champions, duke parakaluar në renditje bardhezinjtë, të cilët tashmë e shohin veten në vendin e katërt.

Një gol i Malinovsky në pjesën e dytë, pas një devijimi të Alex Sandros, i dha 3 pikët bergamaskëve, që bëjnë një hap të sigurt drejt pjesëmarrjes sezonin tjetër në kompeticionin më të rëndësishëm evropian për klube.

Ndërkohë, Lazio e vendit të gjashtë fitoi 5-3 ndaj Beneventos, duke iu afruar 4 pikë Juventusit, por me një ndeshje më pak sesa bardhezinjtë.

Milani arriti të mbajë vendin e dytë në klasifikim, pas fitores me vështirësi ndaj Genoas në San Siro, në ndeshjen e parë të së dielës. Kuqezinjtë kaluan në avantazh me një gol të bukur të Ante Rebic, në pjesën e parë, por Destro barazoi me kokë, pas një goditjeje këndi, duke barazuar shifrat.

Në pjesën e dytë, Milan riktheu avantazhin pas autogolit të sulmuesit kryesor të miqve, Scamacca, i cili pati fatin e keq që të devijonte me shpinë në portën e tij krosimin e Calhanoglu nga këndorja.

5 minuta nga fundi, ekipi i Stefano Piolit rrezikoi që të barazohej, por Kjaer dhe Tomori larguan dy herë topin nga vija fatale, pas një gabimi të portierit Donnarumma. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos