
Napoli mundi me rezultatin e thellë 5-2 Lazion dhe vendos kandidaturën për zonën Champions, pasi e sheh veten vetëm 2 pikë pas Juventusit dhe Atalantës, që mbajnë vendin e tretë dhe të katërt me pikë të barabarta.
Insigne me dy gola ishte protagonisi kryesor i fitores për ekipin e Gennaro Gattuso, me Politano, Mertens dhe Osimhen që shënuan emrin e tyre në listën e golashënuesve të kësaj ndeshjeje.
Vetëm me vlerë statistikore dy golat e mrekullueshëm që shënuan Immobile dhe Milinkovic-Savic për bardhekaltërit, që renditen në vendin e gjashtë të klasifikimit.
Atalanta nuk përfitoi nga hapi fals i Milanit ditën e djeshme për t’u ngjitur në vendin e dytë të Serisë A.
Bergamaskët barazuan 1-1 në transfertë ndaj Romës dhe tashmë e shohin veten në vendin e tretë, me 65 pikë, po aq sa Juventusi.
Ruslan Malinovsky kaloi në avantazh Atalantën në pjesën e parë, me ekipin e Gasperinit që mund të kishte shënuar në disa raste të tjera, por Pau Lopez dhe gabimet e sulmuesve miq bënë që rezultati të mbetej 0-1.
Në minutën e 69, gjithçka ndryshoi. Gosens mori kartonin e dytë të verdhë dhe la Atalantën me një lojtar më pak në fushë. Roma shfrytëzoi superioritetin numeric, duke barazuar rezultatin me goditjen e parë në portë në minutën e 75. (A2 Televizion)