
UEFA heq Bilbaon nga lista e qyteteve organizatore për fazën finale të Kampionatit Europian. Autoritetet lokale konfirmuan njoftimin e marrë nga konfederata europiane e futbollit, pasi nuk arritën të plotësonin kushtet, që të hapnin stadiumin, qoftë edhe me kapacitet të pjesshëm për tifozët.
Bilbao ishte një prej 12 qyteteve ku do të zhvilloheshin ndeshjet e turneut më të rëndësishme kontinentale. Për shkak të situatës problematike me pandeminë koronavirus, ata nuk arritën t’i jepnin garanci UEFA-s se do të lejonin prezencën e spektatorëve në tribuna gjatë ndeshjeve.
Pas zyrtarizimit të vendimit, organizatorët lokalë kërcënuan se do të ndjekin rrugët ligjore kundër UEFA-s, për prishjen e njëanshme të marrëveshjes. Sipas kalendarit të përcaktuar, në impiantin San Mames të Bilbaos ishin parashikuar të luheshin ndeshjet e Spanjës në Grupin E kundër Polonisë, Suedisë dhe Sllovakisë, si edhe një sfidë e fazës së 1/8.
Organizatorët publikuan një dokument me shtatë pika, duke theksuar se “nuk do të lejonin askënd që të dëmtojë imazhin e qytetit”, që është përgatitur “me profesionalizëm dhe përgjegjësi” për evenimentin prej më tepër se gjashtë vjetësh. Bilbao dhe krahina Baske në përgjithësi ka qenë një prej më të prekurave nga pandemia në Spanjë dhe ishin qyteti i vetëm nga 12 organizatorët, që nuk garantoi prezencën e tifozëve në stadiume. (A2 Televizion)