
Qeveria bëri sërish ndryshime në buxhet që rrjedhin nga emergjenca e Covid-19. Pas ndërhyrjes në muajin mars, Këshilli i Ministrave miratoi një tjetër akt normativ që prek shpenzimet dhe i jep një hapësirë më të madhe qeverisë për të përballuar krizën.
Shpenzimet e buxhetit qendror reduktohen me 7 miliardë lekë, apo rreth 56 milionë euro, shumë që kalon në fondin rezervë të shtetit, duke e çuar atë në rreth 130 milionë euro.
Këto fonde parashikohet të përdoren si kontigjencë për paketën sociale antiCovid-19 dhe për emergjenca të tjera në këtë kuadër.
Ndërkohë, një tjetër ndryshim ka të bëjë me shumën e garancisë sovrane për kredi për bizneset, që tashmë me instrumentin e ri të prezantuar në paketën e dytë të masave rritet me 15 miliardë lekë. (A2 Televizion)