Kategoria Superiore merr formë, pas hedhjes së shortit për kalendarin e sezonit 2021-2022. Një edicion ku Teuta do të provojë të mbrojë kurorën e kampiones, Partizani, Tirana e Kukësi do të synojnë të kthehen te titulli, por ku shënohet edhe rikthimi i Dinamos në elitë pas një dekade.
Më 11 shtator, sezoni do të startojë menjëherë me duel pretendentësh, pasi goglat vendosën që Teuta ta nisë mbrojtjen e titullit në Niko Dovana përballë Partizanit. Tirana do të ketë përballë Skënderbeun, teksa Kukësi luan ndaj Egnatias. Dinamon e pret sfida me Kastriotin, ndërsa Laçi e Vllaznia do të matin forcat në garën për Europën.
Derbi i parë i sezonit, do të luhet prej javës së katërt. Në fushë do të zbresin Dinamo dhe Partizani, ndërsa në të njëjtën javë, Kukësi ndeshet me Teutën dhe Tirana me Laçin.
Sipas skemës së përdorur në vitet e fundit, derbi Tirana-Partizani do të luhet në javën e gjashtë, periudhë në të cilën edhe Kukësi ndeshet me Vllazninë.
Derbi i tretë do të zhvillohet në javën e tetë të Kategorisë Superiore, ku do të rikthehet dueli historik ndërmjet Tiranës dhe Dinamos. Në atë javë, luhet edhe ndeshja ndërmjet Laçit dhe Teutës. Në këtë sezon, pritet të jenë gjashtë apo shtatë skuadra që luftojnë për Europën, duke bërë që rivaliteti dhe cilësia e kampionatit të rritet. (A2 Televizion)