
Shahu është një nga sportet më të vjetra dhe tradicionale të vendit tonë. Shpesh është konsideruar si sporti i mendjes për arsye se përqendrimi dhe qetësia duhet të jenë maksimale.
Personat që e luajnë janë të grupmoshave të ndryshme që nga fëmijët e deri tek mosha e tretë që edhe sot tregojnë se shahu është pasioni i tyre më i madh.
Shoqata "Mjeshtrat e Shahut Albania" në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Shahut organizuan një aktivitet 4 ditore me emrin “TIRANA OPEN”. Në të morën pjesë rreth 90 pasionantë të shahut nga qytete të ndryshme dhe nga çdo grupmoshë.
Megjithatë mes tyre binte në sy një vajzë e vogël e cila kishte potencialin e duhur të përballej dhe me grupmoshën e rritur.
Klerk Osuni edhe pse vetëm 11 vjeç është Kampione Shqipërie për mosha dhe në rang kombëtar. Ajo tregon për A2 CNN se kurrë nuk ka menduar të heq dorë nga shahu dhe pse jo e sheh dhe si një profesion për të ardhmen.
Klerk ka përfaqësuar ngjyrat kuqezi dhe në evente ndërkombëtare ndërsa ëndrra e saj mbetet një dhe e vetme, të jetë kampione bote.
Nga ana tjetër trajner i saj Kristaq Andoni, tregon se niveli i shahut sot është i kënaqshëm dhe se brezi që po rritet kërkon dhe më shumë ta luajë këtë sport.
Sa i përket grupit të të rriturve kampion u konfirmua Landi Pasku, i cili edhe këtë herë u vlerësua si më i miri në vend në sportin e shahu. Pasku tregon se pasioni i tij për shahun do të vazhdojë dhe se i pëlqen kur brezi i ri i afrohet këtij sporti.
Pasku ka 5 vite me radhë që mban numrin një në vend si kampion kombëtar ndërsa nuk e fsheh dëshirën të realizojë dhe synimet e tij të tjera.
Për orë me radhë, mes emocionesh te forta, të apasionuarit pas shahut prisnin në radhë për garën e tyre.
Vetë organizatori Ermir Agalliu tregoi për A2 CNN se ky event i ka plotësuar të gjitha pritshmëritë ndërsa zbuloi dhe aktivitete e radhës. (A2 Televizion)