Edhe pse Gjykata ka lënë në fuqi pezullimin e krerëve të Federatës së Futbollit, këtë të martë, më 15 mars, është njoftuar zhvillimi i Asamblesë Zgjedhore për presidentin e ri dhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv.
Duke qenë se paditë janë ende në fuqi, procesi mbetet jo i ligjshëm. Për këtë arsye, Dritan Shakohoxha, rivali i vërtetë i Armand Dukës në garën për kreun e FSHF-së, i ka kërkuar njerëzve të futbollit ta bojkotojnë procesin e paligjshëm.
“Zgjidhjet artificiale dhe të sforcuara juridike që drejtuesit e FSHF-së kanë tentuar që ti japin parregullsive në proces, duke shfrytëzuar dhe përdorur si argument kryesor heshtjen e UEFA-s, thjesht kanë përkeqësuar paligjshmërinë e këtij procesi, fati i të cilit tashmë do të duhet të përcaktohet vetëm përmes një vendimi Gjyqesor”, shkruante Shakohoxha.
Ai shtoi: “Sa më sipër, në konfirmim të vendosmerisë time si kandidat për President të FSHF-së për të demaskuar dhe zhbërë këtë maskaradë zgjedhore, kërkoj nga ana juaj si FSHF dhe nga ana e disa prej personaliteteve të futbollit në Shqiperi dhe ekipeve të futbollit që ata përfaqësojnë, që më datë 15.03.2022 të shmangin dhe bojkotojnë zhvillimin nga FSHF të një procesi zgjedhor fals, të paligjshëm, jo statutor, jo demokratik, jo transparent dhe të manipuluar, duke marrë menjëherë masat për ripërsëritjen e procesit zgjedhor dhe respektimin korrekt të përcaktimeve përkatëse ligjore e statutore”.
Shakohoxha premtoi se “do të vazhdojë të flasë dhe demaskojë atë që një komunitet i tërë futbolli nuk flet dhe nuk demaskon dot hapur në Shqipëri, por aq shumë e kërkon dhe e pret! Me besim në të ardhmen e futbollit shqiptar”. (A2 Televizion)