Ekonomisti Dritan Shano, i ftuar në studion e “Dita jonë”, deklaroi se “Shqipëria ka kohë që është bërë “parajsa” e korrupsionit”.
Kur u pyet mbi raportin më të fundit të “Transparency International”, Shano theksoi se “të gjitha raportet e tregojnë këtë gjë”.
“Modelet e suksesit në shoqërinë dhe politikën tonë janë ato që eliminojnë meritokracinë. Ai që kryen aktivitet kriminal dhe vjedh quhet i suksesshëm. Kështu që, mendoj se edhe e ushqejmë korrupsionin, edhe na ushqen”, u shpreh ekonomisti.
“Kur mbi 80% e rinisë thotë që dëshiron të largohet nga Shqipëria, do të thotë që korrupsioni është ulur këmbëkryq në vend. Korrupsioni mori edhe jetë në Durrës me tërmetin. Mendoj se problemi qëndron edhe në faktin se rezistencën ndaj korrupsionit, ne e quajmë si diçka jofitimprurëse”, shpjegoi më tej Shano.
Kur u pyet mbi zgjidhjen e kësaj situate, Shano deklaroi se ilaçi i vetëm është drejtësia: “Duhet nisur nga sistemi i drejtësisë. Kur sistemi i drejtësisë nuk është i kapur nga politika, pa hetues të kohës së Enver Hoxhës, ke krijuar pikën e parë të kontrollit dhe balancës”. (A2 Televizion)