
Presidenti Donald Trump përgatit tërheqjen e të gjithë ushtarëve amerikanë nga Siria. Kjo u konfirmua nga zyrtarët e mbrojtjes për CNN.
Thuhet se Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar Pentagonin që të “fillojë planin për një tërheqje të menjëhershme”. Trump la të kuptohet se një gjë e tillë do të ndodhë me anë të një statusi të publikuar në rrjetin social Twitter.
“Ne kemi mposhtur ISIS në Siri. Për mua kjo ishte arsyeja e vetme e prezencës tonë atje gjatë presidencës Trump”, deklaroi presidenti.
Kjo ishte një lëvizje që kreu i Shtëpisë së Bardhë e kishte në mendje prej kohësh. Por gjithmonë ishte kundërshtuar nga Pentagoni dhe Mbrojtja për shkak të pasojave që mund të kishte tek aleatët kurdë dhe për prezencën iraniane në Siri.
Pas statusit, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë konfirmoi tërheqjen nga Siria.
“Kemi filluar rikthimin në shtëpi të trupave amerikane ndërsa mendojmë për fazën tjetër të kësaj fushate. 5 vite më parë, ISIS ishte një organizatë shumë e fuqishme dhe e rrezikshme në Lindjen e Mesme. Tani SHBA-të kanë mposhtur kalifatin në territorial”, deklaroi Sarah Sanders, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.
Rreth 2 mijë trupa kanë ndihmuar në eliminimin e militantëve të Shtetit Islamik në Siri. Megjithatë, nuk mund të thuhet akoma se e gjithë Siria është pastruar. (A2 Televizion)