Sherr (edhe) për integrimin, PS kërkon procedurë të përshpejtuar, opozita akuzon për regres

Nga A2 CNN
17 Mars 2022, 19:55 | Politikë
Sherr (edhe) për integrimin, PS kërkon procedurë të

Integrimi në Bashkimin Europian u bë shkak i debateve në seancën plenare. Nisur nga sa po ndodh në Ukrainë me pushtimin rus, socialistët i bënë apel Brukselit që të aplikojë një procedurë të përshpejtuar për anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Por për opozitën, qeveria nuk ka punuar për të përfituar këtë status të privilegjuar.

Maxhoranca socialiste i kërkon Bashkimit Europian që të ndryshojë qasje sa i përket zgjerimit, duke lehtësuar rrugën që do të bënte Ballkanin Perëndimor pjesë të Unionit. Në seancën plenare ku u diskutua raporti vjetori i Këshillit të Integrimit Europian, Taulant Balla bëri një krahasim të asaj se çfarë po ndodh në kufijtë lindor të BE-së dhe rrezikun në Ballkan, duke parashtruar kërkesën për një korsi më të shpejtë integruese.

Dëshirën e shprehur në parlament ia refuzuan të parët demokratët. Jorida Tabaku nënvizoi në sallë se qeveria shqiptare nuk ka punuar sa duhet për të ecur përpara në rrugën e integrimit.

Nëse PD-ja mendon se qeveria nuk ka avancuar, Sali Berisha i cili mori spaletat e kryeopozitarit në sallën e parlamentit, ishte i një qasje tjetër. Vendi sipas tij ka bërë hapa mbrapa dhe për këtë akuzoi Ramën se sheh nga lindja e jo nga perëndimi.

Në replikë me ish-kryeministrin ishte e deleguara e Edi Ramës, Elisa Spiropali.

Forca e tretë parlamentare, LSI-ja, e cila është tkurrur në numra, është e mendimit se përballë integrimit s’duhet të ketë dallime partiake. Më herët, LSI kishte depozituar amendamentin ku kërkon që në Këshillin e Integrimit Europian të përfshihen të gjitha partitë parlamentare.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos