
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von Der Leyen, kërkon publikimin e kontratës së nënshkruar me kompaninë Astra Zeneca, mes përshkallëzimit të përplasjeve lidhur me vonesat në prodhimin e dozave të vaksinës anti-covid.
Kontrata e nënshkruar në gusht, është detyruese thotë Von Der Leyen, duke rrëzuar pretendimet e kompanisë me bazë në Britaninë e Madhe se kontrata përfshin thjesht angazhimin për të "bërë më të mirën", për sigurimin e dozave sipas afateve.
“Kontrata është detyruese, është e qartë si kristali. AstraZeneca na ka siguruar në këtë kontratë se detyrimet e tjera nuk do të pengonin përmbushjen e saj”, shprehet ajo.
Bashkimi Europian ka marrëveshje për sigurimin e 300 milionë dozave me mundësinë e blerjes së 100 milionë të tjerave nga AstraZeneca. 100 milionë prej tyre duhej të mbërrinin deri në mars, por për shkak të problemeve me prodhimin në dy fabrika europiane, kompania njoftoi një reduktim prej më shumë së 60 për qind të dozave.
Sipas AstraZenecas, fabrikat, ku është verifikuar problemi, janë në Belgjikë dhe Holandë. Ndërsa fajëson Bashkimin Europian për nënshkrimin e vonshëm të kontratës, në krahasim me Britaninë e Madhe, kompania vijon t’i sigurojë kësaj të fundit rreth 2 milionë doza në javë. Brukseli këmbëngul se në kontratë përmenden edhe dy fabrika në Britaninë e Madhe, për vaksinat e destinuara në BE, dhe kërkon që dozat të devijohen nga ish-shteti anëtar drejt vendeve të bllokut. (A2 Televizion)