
Policia e Durrësit ka arrestuar 5 persona të cilët akuzohen për ngritjen e një skeme mashtruese me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore.
Sipas Policisë dëmi që ata i kanë shkaktuar shtetit arrin vlerën 6 milionë euro. Përveç arrestimeve, Policia tha se ka sekuestruar prona me vlerë 2 milionë euro.
Të arrestuar:
E. Xh., 38 vjeç, R. M., 30 vjeç, R. A., 39 vjeç, A. A., 45 vjeç dhe B. C., 48 vjeç, banues në Tiranë.
Pasuri të sekuestruara
Një shoqëri e quajtur "Alfa Nikel";
Një hidrocentral, së bashku me sipërfaqen e truallit 700m², ku ishte ndërtuar, në Dhërmi;
Një apartament me sipërfaqe 215 m².
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej shtetasve të arrestuar, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një kasë fiskale, e cila dyshohet se është përdorur për prodhimin e faturave fiktive.
“ Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë krijuar shoqëri fiktive, me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore, ndërkohë që kryenin punime në fushën e ndërtimit dhe fusha të tjera të padeklaruara në organet tatimore. Produktet janë blerë pa dokumente tatimore dhe punimet janë kryer nga punonjës të paregjistruar dhe të padeklaruar në organet tatimore. Nga ky aktivitet kriminal i skemave mashtruese me TVSH-të, shtetasit e sipërpërmendur, nëpërmjet subjekteve fiktive, nga mospagimi i detyrimeve tatimore në shuma të mëdha, kanë shkaktuar dëm ekonomik që kap vlerën e rreth 6 milionë euro”, tha Policia. (A2 Televizion)