Shkatërrimi i digës në Kherson, të gjithë akuzojnë të gjithë, njerëzit mbeten nën ujë

Nga A2 CNN
6 Qershor 2023, 15:43 | Bota

Një akt terrorist. Kështu e ka cilësuar Ukraina shkatërrimin nga rusët, të një dige të madhe dhe stacioni hidroelektrik, pranë lumit Dnjepër në qytezën e pushtuar nga Moska të Nova Kakhovka-s, në rajonin e Khersonit.

Siç thuhet, diga është hedhur në erë, duke shkaktuar përmbytje të mëdha në të gjithë zonën e luftës, me palët që fajësojnë njëra-tjetrën. Autoritetet në Kiev thonë se centrali hidroelektrik i Kakhovka-s, ishte shkatërruar plotësisht pas një shpërthimi në sallën e makinerive. Sakaq, një zyrtar i instaluar nga Moska në Nova Kakhovka, fajësoi sulmet e shumëfishta të ukrainas për dëmtimin e digës, që siç tha është me gjasë i pakthyeshëm.

Si pasojë, mbi 16 mijë vetë në një zonë kritike pranë rrjedhës së lumit Dnjepër janë në rrezik nga përmbytjet masive, dhe një operacion për evakuimin e tyre ka nisur në zonë.

Presidenti Volodymyr Zelensky mblodhi këshillin e sigurisë kombëtare dhe akuzoi Rusinë për terrorizëm. “Terroristë rusë. Shkatërrimi i digës së centralit hidroelektrik të Kakhovka-s i konfirmon botës se ata duhet të dëbohen nga çdo cep i tokës ukrainase. Atyre nuk u duhet dhënë asnjë metër, pasi përdorin çdo metër për terrorin”, tha Zelensky.

Agjencia Ukrainase e Energjisë Nukleare paralajmëroi se shkatërrimi i digës mund ta rrezikojë centralin bërthamor në Zaporizhja, që përdor ujë nga ky rezervuar për procesin e ftohjes së reaktorëve bërthamorë. Në qytetzën e Nova Kakhovka-s është shpallur gjendja e jashtëzakonshme. Sipas kryeministrin ukrainas Denys Shmyhal deri në 80 vendbanime rrezikojnë të përmbyten si pasojë e vërshimit të ujit. Ai e cilësoi shkatërrimin e digës, si nja krim mizor lufte.

I ashpër ishte edhe reagimi i komunitetit ndërkombëtar. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se sulmi tregonte brutalitetin rus ndërsa presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, u shpreh i tronditur nga ai që e quajti krim lufte. Londra sakaq, tha se shpërthimi që shkatërroi digën është rezultat i luftës në shkallë të gjerë, e të paprovokuar të Rusisë. (A2 Televizion)

https://a2news.com/2023/06/06/pamjet-nga-sateliti-tregojne-shkallen-e-shkaterrimit-te-diges-kahovka-ne-ukraine/
https://a2news.com/2023/06/06/shkaterrimi-i-diges-qe-furnizon-zhaporizhzhian-ukraina-e-rusia-fajesojne-njera-tjetren/

A2 CNN Livestream

Latest Videos