Shpallja i pafajshëm i Suel Çelës, PD: Me Edi Ramën në qeveri, drejtësia nuk është e lirë të ndëshkojë krimin

Nga A2 CNN
20 Nëntor 2019, 16:39 | Politikë
Shpallja i pafajshëm i Suel Çelës, PD: Me Edi Ramën

Partia Demokratike, me anë të një njoftimi për shtyp, u shpreh se “shpallja i pafajshëm i banditit të rrezikshëm të Elbasanit, Suel Çela, shërbëtor i pushtetit të Edi Ramës, provoi në mënyrë të përsëritur se me Edi Ramën në qeveri, drejtësia nuk është e lirë të ndëshkojë krimin”.

“Mesazhi që iu dha sot shqiptarëve është se kriminelët e pushtetit, ata që blejnë vota për karrigen e Edi Ramës janë të paprekshëm! Kur kriminelët vjedhin zgjedhjet për Edi Ramën, kur bëjnë drogë me lejen e pushtetit të Edi Ramës, kur godasin policinë dhe e çnderojnë atë me mbrojtjen e Edi Ramës, drejtësia është e pafuqishme të bëjë drejtësi. Duke shpallur të pafajshëm kriminelët e pushtetit, rrëzohet çdo iluzion për drejtësinë e pavarur. Të gjithë e kanë mësuar se drejtësia është plotësisht në dorën e Edi Ramës dhe të krimit”, lexohet në njoftimin e PD-së.

“Vendi ka nevojë jetike për ndarjen e politikës nga krimi, ka nevojë për zgjedhje të lira, të pandikuara nga kriminelët, si dhe për një qeveri të re, që e ka fatin të lidhur me qytetarët dhe jo me kriminelët”, shton Partia Demokratike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos