Shpartallohet banda e shqiptarëve që trafikonte emigrantë nga Spanja drejt Anglisë

Nga A2 CNN
8 Tetor 2022, 14:40 | Kronikë

Autoritetet spanjolle kanë shpartalluar një bandë shqiptarësh që operonte kryesisht në Spanjë dhe dërgonte emigrantë, kryesisht po shqiptarë, nga vendi iberik drejt Anglisë. Lajmin e konfirmoi NCA, Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar.

Ata përdornin qytetet e veriut të Spanjës, kryesisht Bilbaon dhe Santanderin, për të futur shqiptarët në Mbretërinë e Bashkuar përmes trageteve të linjave drejt disa qyteteve, si Portsmuthi, Sauthempton dhe Liverpul.

https://a2news.com/2022/08/29/shqiponja-mberriti-emigranti-shqiptar-ben-simbolin-kombetar-pasi-prek-token-angleze/

Sipas autoriteteve britanike çdo emigrant paguante deri në 15 mijë euro për të mbërritur në ishull. “Trafikantët vënë në rrezik jetët e njerëzve, prandaj shpartallimi i rrjeteve të tilla kriminale është prioritet për NCA dhe partnerët tanë”, tha Steve Reynolds, zyrtar i agjencisë. “Në këtë rast kemi të bëjmë me një grup që trafikonte emigrantë të fshehur nëpër kamionë që mbërrijnë në Angli me tragete. Rreziku i këtij udhëtimi i merrni me mend vetë”.

Emigrantët besohet se niseshin nga Shqipëria drejt Spanjës, ndërsa trafikantët u siguronin vend për të qëndruar deri në nisjen e udhëtimit për në Angli. Sipas NCA, rreth 50 vetë të mbërritur në ishull besohet se janë trafikuar nga kjo bandë.

https://a2news.com/2022/09/26/media-britanike-fut-ne-kafaz-luanin-e-arte-qe-dergon-shqiptaret-ne-angli-me-gomone/

Gjatë javës së kaluar janë arrestuar 7 persona, 2 në Madrid dhe 5 në krahinën Baske. Ata raportohet se ishin të gjithë shqiptarë, por duke qenë se janë arrestuar në Spanjë, do të gjykohen aty. Gjatë operacioneve të policisë u sekuestruan telefona, kompjuterë, karta bankare, fatura dhe pasaporta të kombësive të ndryshme.

Shqiptarët përbëjnë numrin më të lartë të emigrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në Angli, sipas shifrave zyrtare. Javën e kaluar, ministrja e brendshme, Suella Braverman, tha gjatë një takimi të Partisë Konservatore: “Shumë prej shqiptarëve pretendojnë se janë pre e skllavërisë moderne, por ato janë gënjeshtra”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos