Shpërthimi i një vullkani në Meksikë të enjten në mëngjes është filmuar, duke ofruar një pamje sa dramatike, aq edhe spektakolare, ndërsa llava dhe hiri fluturonin në ajër.
Sipas mediave lokale, shpërthimi ndodhi herët në mëngjes, rreth orës 6:30 me orën lokale. Autoritetet meksikane ndihmuan në evakuimin e njerëzve që banonin pranë kraterit të vullkanit ndërsa njoftuan të tjerët që jetonin më larg që të mbanin dritaret mbyllur deri sa hiri të largohej plotësisht.
Vullkani Popocatepetl, i cili në gjuhën azteke do të thotë “mali që lëshon tym”, është i lartë 5426 metra dhe është mali i dytë më i lartë në Meksikë, por edhe i pesti më i lartë në Amerikën e Veriut. “El Popo”, siç e quajnë vendasit, është një prej vullkaneve më aktivë ne Meksikë. Që prej pushtimit spanjoll, në vitin 1519, ka pasur 15 shpërthime të mëdha të regjistruara. (A2 Televizion)