
Një nga kamikazët e bombardimeve gjatë ditës së pashkëve në Sri Lanka studioi në Mbretërinë e Bashkuar përpara se të kryente një kurs në Australi.
Kjo është konfirmuar nga zyrtarët që citojnë rezultate të mëtejshme nga hetimet. Njoftimi erdhi ndërsa bilanci i viktimave shkoi në 359.
Kryeministri Ranil Uikremesinge tha se Shteti Islamik, i cili me anë të një deklarate mori përsipër sulmet e së dielës, mund të qëndrojë prapa bombardimeve që përgjakën ditën e pashkëve në Sri Lanka.
Për të përforcuar këtë, ISIS publikoi një video, në të cilën shikohen disa persona ndërsa i premtojnë besnikëri organizatës terroriste dhe liderit të saj Al Bagdadi. Personi pa fytyrën e mbuluar, mendohet të jetë truri dhe organizatori i bombardimeve.
Autoritetet e Sri Lankës dyshojnë se ky aksion terrorist mund të jetë një kundërpërgjigje për sulmet ndaj dy xhamive në Zelandën e Re.
“Mund të jenë akoma disa persona të rrezikshëm që enden të lirë, prandaj u kërkoj qytetarëve që të tregohen vigjilentë. Mendoj se brenda disa ditëve, ne do të kemi situatën plotësisht nën kontroll”
Ruwan Wijewardene, Ministër i Mbrojtjes i Sri Lankës
Ndërkohë, policia ka identifikuar 8 nga 9 kamikazët, mes të cilëve dhe një femër. Shumica ishin të mirë edukuar. Selia diplomatike amerikane në Sri Lanka dhe India paralajmëruan autoritetet që të tregojnë kujdes pasi në vend po organizoheshin komplote terroriste, por këto informacione u injoruan.
Vetë qeveria e Sri Lankës, pranoi se bombardimet mund të ishin shmangur dhe njoftoi se rreziku ende nuk ka kaluar. Në total, policia ka ndaluar rreth 60 persona lidhur me sulmet e përgjakshme në ditën e pashkëve. (A2 Televizion)