Zbulimet e raportit të Robert Mueller duket se do të përndjekin për një kohë të gjatë presidentin amerikan Donald Trump. I pyetur nëse ishte i shqetësuar se pjesëtarët e stafit mund të shpërfillnin urdhrat e tij, ashtu siç thuhet në raportin e bërë publik javën e kaluar, Trump u përgjigj më nervozizëm: “Askush nuk i shkel urdhrat e mi”.
Dokumenti përmbante shembuj të ndryshëm të bashkëpunëtorëve që refuzonin të përmbushnin kërkesat e numrit një të Uashingtonit. Por ndërsa burime të cituara nga mediat amerikane pohojnë se presidenti po zien nga pretendimet e raportit, përpara kamerave Trump kujdeset të tregohet i qetë.

“Nuk jam i shqetësuar aspak” , ishte përgjigja e tij për gazetarin që e pyeti mbi mundësinë e një impeachment.
Ndërkaq, presidenti ngriti të hënën një padi për të bllokuar përpjekjet e një komisioni ligjvënësish që ka kërkuar zyrtarisht informacion mbi të dhënat personale dhe të biznesit të tij, nga firma e kontabilitetit, e cila ka trajtuar prej vitesh çështjet financiare të kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Kryetari i Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, demokrati Elijah Cummings, po kërkon informacion financiar për tetë vjet nga kompania “Mazars USA”.
Por në padinë e presidentit dhe korporatës së tij, “Organizata Trump”, thuhet se autorizimi zyrtar i komisionit "është i pavlefshëm dhe i pazbatueshëm për shkak se nuk ka qëllime ligjore legjislative". (A2 Televizion)