Shqipëri-Kosovë me një hapësirë të përbashkët konsullore në Strugë, Cakaj: Firmosëm marrëveshjen

Nga A2 CNN
5 Dhjetor 2020, 11:45 | Politikë
Shqipëri-Kosovë me një hapësirë të

Ministri i Jashtëm në Detyrë Gent Cakaj ka njoftuar se Shqipëria dhe Kosova do të kenë një hapësirë të përbashkët konsullore në Strugë. Përmes një postimi në Facebook, Gent Cakaj, ka konfirmuar se është nënshkruar marrëveshja me ministren e Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.

“Tashmë jemi marrë vesh zyrtarisht për bashkim të hapësirave të Konsullatave të Përgjithshme të dy vendeve tona në qytetin e Strugës. Sado simbolik të duket ky veprim, është megjithatë një dëshmi e prekshme, se zbatimi i projektit të shfrytëzimit të përbashkët të hapësirave të ambasadave a konsullatave mes Kosovës e Shqipërisë po vazhdon. Ky projekt duhet të vazhdojë me çdo kusht në çdo vend ku ka mundësi objektive” – shkruan Cakaj.

Një tjetër marrëveshje e rëndësisë së veçantë, sipas Cakajt është edhe ajo e nënshkruar nga partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës, për të vepruar si një forcë e vetme në Medvegjë.

“Nga ana tjetër, edhe marrëveshja e nënshkruar nga partitë politike shqiptare të Luginës së Preshevës, për të vepruar si një forcë e vetme në Medvegjë mbart një rëndësi të veçantë. Deri sa të ketë unitet e mobilizim të brendshëm, edhe angazhimi ynë kundër procesit të fshirjes së adresave do të bëhet më i fuqishëm.

S'ka fjalë, ndërkaq, se ne do të vazhdojmë përpjekjen tonë për të shtuar mbështetjen politike dhe institucionale, veçanërisht për shqiptarët në Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë”-përfundon ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos