
Pesë vjet pas përballjes së fundit aq të ëndërruar për shqiptarët, Kombëtarja kuqezi do të luajë sërish përballë Italisë. Për kënaqësinë e tifozëve, ndeshja do të luhet në Tiranë. Konfirmimi zyrtar u dha nga presidenti i Federatës Italiane, Gabriele Gravina, i cili foli për projektet e ardhshme të “të kaltërve”.
Edhe pse Italia nuk arriti të kualifikohej në Kupën e Botës 2022 në Katar, me kërkesë të trajnerit Roberto Mancini, federata ka vendosur të kryejë një grumbullim 10-ditor. Gjithçka do të ndodhë përpara inaugurimit të eventit më të rëndësishëm të futbollit. Klubet e futbollit dhe liga në Itali ranë dakord që lojtarët të grumbullohen për të zhvilluar dy miqësore, njëra prej të cilave me Shqipërinë.
Duke qenë se të gjithë kampionatet në botë do të ndalojnë në periudhën nga 20 nëntori deri më 18 dhjetor, edhe ekipet përfaqësuese që nuk janë pjesë e Kupës së Botës, do të kenë shansin të zhvillojnë ndeshje testuese.
“Dhjetë ditë përpara inaugurimit të Botërorit, trajneri Mancini do të ketë në dispozicion shumë të rinj, për të ndërtuar ekipin e së ardhmes”, tha Gravina.
Presidenti i federatës italiane shtoi: “Me shumë mundësi do të luajmë një miqësore me Shqipërinë në Tiranë. Më pas mund të organizojmë një grumbullim në Arabinë Saudite, ose ekipi mund të përgatitet në Itali”.
Kombëtarja ka luajtur për herë të fundit me Italinë më 9 tetor 2017 në Loro Boriçi. Ajo ndeshje e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2018 u fitua 1-0 nga të kaltrit, me golin e Candrevas. Shqipëria ka tre përballje historike me Italinë, me ndeshjet që janë luajtur nga viti 2014 deri më 2017-ën dhe ka dalë gjithmonë e humbur nga fusha. (A2 Televizion)