1 Maji,  Dita e Punëtorëve, Kujtesë e Luftës për Dinjitet dhe të Drejta

Nga A2 CNN
1 Maj 2025, 07:21 | Aktualitet

1 Maji,  Dita e Punëtorëve, Kujtesë e Luftës për

Sot, më 1 Maj, bota shënon  Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, një datë me rëndësi historike që shënon përpjekjet, sakrificat dhe solidaritetin e klasës punëtore në mbarë globin. Kjo ditë, e lindur nga lëvizja punëtore amerikane në fund të shekullit XIX, ka rrënjë në ngjarjet tragjike të “Haymarket”-it në Çikago, ku punëtorët kërkuan për herë të parë zyrtarisht vendosjen e një orari pune 8-orësh.

Lëvizja nisi në vitin 1884, kur Federata e Tregut të Organizuar dhe Bashkimi i Punëtorëve shpalli se, duke nisur nga 1 maji 1886, të gjithë punëtorët duhet të punonin jo më shumë se tetë orë në ditë. Ky vendim shkaktoi një valë grevash që kulmoi në protestat e mëdha të Çikagos, ku u hodh një bombë gjatë një tubimi dhe më pas u ekzekutuan katër prej drejtuesve të lëvizjes, përfshirë August Spies, i cili me fjalët e tij të fundit la një mesazh të paharruar: “Do të vijë një kohë kur heshtja jonë do të jetë më e fuqishme se zëri që ju po mbytni sot.”

Tri vite pas kësaj ngjarjeje, në vitin 1889, Internacionalja e Dytë Socialiste në Paris vendosi që 1 Maji të shënohej çdo vit si dita e solidaritetit ndërkombëtar të punëtorëve, duke e kthyer këtë datë në një simbol të përbashkët të luftës për të drejta, dinjitet dhe kushte të drejta pune.

Sot, më shumë se një shekull më vonë, 1 Maji mbetet një thirrje për drejtësi sociale, mbrojtje të të drejtave të punonjësve dhe respekt për ata që me mundin e tyre ndërtojnë shoqërinë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos