12 vatra zjarri në 24 orë, Ministria e Mbrojtjes bën bilancin

Nga A2 CNN
26 Gusht 2025, 20:14 | Aktualitet

12 vatra zjarri në 24 orë, Ministria e Mbrojtjes bën bilancin

Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civile raporton se ditën e sotme janë raportuar 12 vatra zjarri nga të cilat 8 janë shuar, 4 janë aktive dhe 1 është në monitorim.

Njoftimi i MM:

Ditën e djeshme datë 25.08.2025, rreth orës 15:00, në fshatin Delisuf, njësia administrative Novoselë, bashkia Vlorë, është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe pyjore me pishë dhe bimësi të përzier. Zjarri i favorizuar nga intensiteti i erës ka marrë një shtrirje të madhe duke depërtuar në pyllin e Pishë-Poros. Me gjithë punën e bërë nga forcat në terren dhe ndërhyrja nga ajri nga helikopterët e Forcës Ajrore dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe, zjarri mbetet aktiv. Vatra e zjarrit gjatë natës ka zgjeruar perimetër në gjatësi dhe gjerësi. Sot në terren janë të angazhuara 3 automjete MZSH dhe 20 efektiv BMEC, 3 automjete dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura, ⁠3 automjete dhe 18 efektivë nga MZSH Vlorë, ⁠6 forca nga AdZM, 23 forca bashkiake, 10 forca policore. Sot operuan sërish 2 helikopterët e Emirateve të Bashkuara Arabe dhe 2 helikopterët e Forcës Ajrore. Të gjitha forcat po punojnë për të penguar kalimin e vatrës së zjarrit në kanalin e hidrovorit.

 Ditën e djeshme datë 25.08.2025 rreth orës 16:30, në fshatin Bogovë, njësia administrative Bogovë, bashkia Skrapar, është aktivizuar një vatër zjarri në një hangar ku më pas është shpërndarë në një sipërfaqe pyjore me pishë. Ditën e sotme vijoi puna për shuarjen e zjarrit me 7 automjet zjarrfikëse më 22 efektivë nga MZSH-të, Skrapar, Berat, Poliçan, 5 forca nga Shërbimi Pyjor, 35 forca bashkiake dhe 30 trupa nga Forcat e Armatosura. Sipërfaqja e përshkuar deri në këto momente është rreth 18 ha. Si rezultat i erës janë riaktivizuar disa vatra të vogla brenda asaj kryesore. Janë vetëm dy vatra të vogla brenda zonës së djegur me prezencë tymi, nuk ka rrezik për banesa.

Në Parkun Natyror Gërmenj, njësia administrative Leskovik, zarri është riaktivizuar në afërsi të piramidës 15. Në terren gjatë ditës u angazhuan forcat zjarrfikëse nga MZSH Kolonjë të cilët punuan midis piramidave 14 dhe 15, në kufi me Greqinë. Ditën e sotme situata paraqitet më e normalizuar. Zona do vashdojë të mbahet në monitorimi nga forcat MZSH Kolonjë.

Në fshatin Pezë Helmës, njësia administrative Pezë, vazhdon të jetë aktiv zjarri në disa vatra në një terren pa rrugëkalime dhe me bimësi të dendur që nuk mundëson ndërhyrjen e forcave zjarrfikëse. Në terren ndodhen 4 efektivë me 1 automjet zjarrfikës që po qëndrojnë në gatishmëri të pandërprerë 24 orë, kryesisht pranë disa banesave që ndodhen më afër zonës, por larg vatrës së zjarrit.

Është bërë izolimi i plotë dhe shuarja e zjarreve në:

 1.      Fshatin Vrepckë (Shelegur), njësia administrative Qendër Leskovik, bashkia Kolonjë

2.      Në rrugën “Bilal Troksi”, zona “Fushë Farkë”, njësia administrative Dajt, bashkia Tiranë

3.      Në fshatin Stajke, njësia administrative Bushat, bashkia Vau – Dejës

4.      Në fshatin Shtoi i Ri, njësia administrative Rrethina, bashkia Shkodër

5.      Në fshatin Peshtan i Madh, njësia administrative Levan, bashkia Fier

6.      Në autostradën Laç-Lezhë, njësia administrative Shënkoll, bashkia Lezhë

7.      Në fshatin Shumbat, njësia administrative Sllovë, bashkia Dibër

8.      Në fshatin Portgorcë, njësia administrative Maqellarë, bashkia Dibër (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos