150 kuota për vitin e ri akademik, ministri Hoxha thirrje maturantëve për t’iu bashkuar Akademisë së Sigurisë

Nga A2 CNN
24 Qershor 2025, 12:28 | Aktualitet

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, gjatë një vizite në ambientet e Akademisë së Sigurisë, u bëri thirrje të rinjve dhe të rejave që përfundojnë maturën të aplikojnë për t’u bërë pjesë e kësaj shkolle të rëndësishme të formimit profesional të Policisë së Shtetit.

I shoqëruar nga Rektori i Akademisë, Ilirjan Mandro, ministri Hoxha u njoh nga afër me përgatitjet për vitin e ri akademik dhe me procesin e përzgjedhjes së kandidatëve të rinj. Ai theksoi se Akademia e Sigurisë është tashmë një institucion i akredituar në sistemin e arsimit të lartë dhe ofron një formim bashkëkohor, të përputhshëm me standardet europiane të sigurisë publike.

"Jemi në zemrën e formimit të Policisë së Shtetit dhe dua t’i bëj një thirrje të gjithë maturantëve që kërkojnë një rrugë profesionale me mision, dinjitet dhe përkushtim – rruga për t’u bërë punonjës policie. Akademia e Sigurisë nuk është vetëm një shkollë, por një derë që hapet drejt një karriere të qëndrueshme në shërbim të vendit," u shpreh ministri.

Ai bëri me dije se këtë vit janë caktuar 150 kuota pranimi, të cilat do të plotësohen nëpërmjet një procesi të hapur dhe konkurrues.

"Ftoj të gjithë të rinjtë që kanë idealin e shërbimit publik dhe dëshirën për të kontribuar në rritjen e sigurisë në komunitet, të zgjedhin Akademinë e Sigurisë dhe të aplikojnë me besim,” tha Hoxha.

Ministri ndau edhe një mesazh personal, duke kujtuar se edhe ai vetë ka nisur rrugëtimin në Policinë e Shtetit nga kjo akademi. "Të jesh pjesë e Policisë nuk është vetëm një profesion, por një mision. Brenda këtyre mureve unë mora njohuritë e para dhe ndërtova besimin se përmes punës së përbashkët mund të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për vendin tonë."

Në përfundim, ai garantoi se të gjithë të rinjtë që zgjedhin këtë rrugë do të kenë mbështetjen e plotë të Ministrisë së Brendshme për një formim të denjë dhe për një karrierë të ndershme në shërbim të qytetarëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos