Pas peticionit të firmosur nga 749 qytetarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ka njoftuar zyrtarisht pezullimin e punimeve në Burgun e Spaçit, një vend me rëndësi të veçantë historike dhe simbolike për kujtesën kolektive të periudhës së komunizmit në Shqipëri.
Në një deklaratë publike, organizatat nënshkruese e kanë konsideruar këtë pezullim si një hap të rëndësishëm drejt reflektimit institucional. Megjithatë, ato theksojnë se kjo ndalesë është vetëm e përkohshme dhe se kërkesa e tyre mbetet ndalimi përfundimtar i ndërhyrjeve aktuale në këtë vend historik.
“Burgut të Spaçit i takon të shndërrohet në një memorial kombëtar të krimeve të komunizmit – një hapësirë nderimi, reflektimi dhe edukimi. Ai nuk mund të preket pa një vizion të qartë dhe një proces gjithëpërfshirës, që garanton transparencë, respekt dhe konsultim publik,” theksohet në deklaratë. (A2 Televizion)