Betonizimi një nga shkaqet, erozioni detar po gllabëron pishat në Pyllin e Sodës

Nga Edi Ruçi dhe Gazmend Janku
30 Tetor 2025, 15:18 | Aktualitet

Pylli i Sodës, i njohur ndryshe edhe si “mushkëria e qytetit të Vlorës”, po humb çdo vit sipërfaqe të konsiderueshme për shkak të erozionit detar, shkruan A2 CNN. Pamjet e fundit nga zona flasin vetë, nuk kanë nevojë për shumë koment, por për veprim të menjëhershëm.

Sipas ambientalistit Niko Dumani, edhe pse erozioni është një fenomen natyror, ai ndikohet ndjeshëm nga aktivitetet njerëzore, sidomos ndërtimet pranë vijës bregdetare. Ndërtimi i Lungomares dhe zgjatimi i saj përgjatë bregdetit deri në Radhimë, për ambientalistin, konsiderohen ndër shkaqet që kanë shtuar erozionin në zonën e Pyllit të Sodës.

“Natyrisht që ky fenomen ka edhe arsye të tjera, të cilat duhen studiuar sa më shpejt dhe për një periudhë të gjatë, në mënyrë që të gjenden zgjidhje afatgjata për mbrojtjen e pasurisë pyjore në këtë zonë”, thotë ambientalisti Dumani, përcjell A2 CNN.

Ambientalistët kërkojnë që të ndërmerren studime të thelluara dhe masa mbrojtëse urgjente, për të shmangur zhdukjen graduale të këtij parku natyror që luan një rol të rëndësishëm ekologjik për qytetin e Vlorës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos