
Ka përfunduar pas 3 orësh tensione e përplasje me policinë protesta e organizuar nga “Shqipëria Bëhet” para kryeministrisë. A2 CNN raporton se Policia e Tiranës ka shoqëruar 4 aktivistë pas protestës, si edhe janë sekuestruar dy makina me pajisjet teknike, gjenerator dhe foni.
Protesta nisi me tensione që në fillim pasi policia u përplas fizikisht me protestuesit dhe u përshkallëzua pasi policia tentoi që t’u heqë foninë dhe podiumin e ngritur, ku Adriatik Lapaj po mbante fjalimin me thirrje që Edi Rama të largohet.

Adriatik Lapaj dhe mbështetësit e tij protestuan për të 12-ën ditë radhazi para kryeministrisë. Protesta nisi me tensione dhe përplasje me policinë pas ndërhyrjes për largimin e gjeneratorit.
Gjatë fjalës së tij, Lapaj i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se çdo nismë kundër tij është konflikt i drejtpërdrejtë me familjen Lapaj, ndërsa në fund policia sekuestroi gjeneratorin dhe shoqëroi katër aktivistë. (A2 Televizion)