
Rreth 30 mijë arsimtarë në të gjithë Shqipërinë festojnë sot 7 Marsin, Ditën e Mësuesit. Politikanët shqiptarë kanë uruar mësuesit në këtë ditë të shënuar, duke në vëmendje rolin e tyre thelbësor në edukimin e brezave të rinj, formimin e tyre dhe mirënjohjen për kontributin në shoqëri.
Kryeministri Rama zgjodhi që këtë 7 mars të presë në kryeministri disa fëmijë nga Manastiri, vendin ku u zhvillua edhe kongresi i alfabetit shqip.
“Mirëmëngjes dhe me energjinë e fëmijëve nga Manastiri, që na kujtojnë sa e fortë është lidhja përmes gjuhës, ju uroj Gëzuar 7 Marsin dhe fundjavë të mbarë!”, shkruan Rama.
Ndërsa kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi përcolli një reflektim të pedagoges së Departamentit të Letërsisë në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Belfjore Qose, mbi rolin dhe përkushtimin e mësimdhënësve në shoqëri.
“Dita e Mësuesit është një simbol mirënjohjeje për përkushtimin, profesionalizmin dhe sakrificat e mësuesve, të cilët çdo ditë përcjellin dije, formësojnë vlera dhe frymëzojnë vajzat dhe djemtë e Shqipërisë për të ndërtuar themelet e së ardhmes”, shkruan Peleshi.
Ky 7 Mars e gjen Mirela Kumbaron në krye të Ministrisë së Arsimit duke simbolizuar një moment të veçantë për të, ndërsa thekson se fatmirësisht ka rritje të pagave të tyre dhe zgjidhje ligjore për ngërçet e mëparshme. Ajo solli në vëmendje edhe sfidat me të cilat haset mësuesia sot.
“Ne e dimë se në një kohë ku teknologjia shpesh konkurron vëmendjen dhe durimin e nxënësve, nuk është e lehtë të jesh mësues, por roli juaj bëhet edhe më i rëndësishëm: të orientoni brezat e rinj drejt dijes, mendimit kritik dhe vlerave që ndërtojnë një shoqëri më të mirë”, shprehet Kumbaro.
(A2 Televizion)