Laboratori i kokainës në Frakull, SPAK zbulon edhe një rast të trafikut nga Kolumbia

Nga A2 CNN
6 Mars 2026, 17:42 | Aktualitet

Laboratori i kokainës në Frakull, SPAK zbulon edhe një rast

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit dhe partnerët ndërkombëtarë, ka zbuluar një episod të ri të trafikut ndërkombëtar të kokainës nga Kolumbia drejt Shqipërisë, të lidhur me laboratorin e drogës në Frakull të Fierit.

Numri i personave të identifikuar në këtë rast ka shkuar në 15, prej të cilëve 10 janë tashmë të dënuar, ndërsa 5 janë identifikuar së fundmi dhe janë nën hetim. Pesë masa sigurie janë caktuar: tre persona janë arrestuar dhe dy janë shpallur në kërkim. Mes të pandehurve dhe të dënuarve figuron edhe ish-kryekomunari i Frakullës, Viktor Çervanaku, dhe disa familjarë të tij.

Hetimet lidhen me trafikimin në vitin 2022 të 485.5 kilogramë kokainë, e fshehur në një ngarkesë me “pleh organik artificial”, e sekuestruar më 24 nëntor 2022 në Frakull të Madhe, Fier. Për këtë rast, SPAK ekzekutoi masa sigurie ndaj shtetasve K. Gj., M. Gj. dhe A. Z., ndërsa shtetasit K. (alias A.) M. dhe D. K. janë shpallur në kërkim.

Tashmë janë dënuar 10 shtetas shqiptarë: Nikolin Gjolena, Viktor Çervanaku, Denilson Çervanaku, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra), Zenel Çervanku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi dhe Marildo Rona, ndërsa gjykimi për shtetasin kolumbian Samir Rosales Rodriguez vazhdon.

Gjatë hetimeve, autoritetet kanë kryer kontrolle në banesa, automjete dhe ndaj personave të përfshirë, duke sekuestruar disa automjete luksoze Land Rover, përfshirë modele Range Rover Sport, Evoque, Discovery dhe Velar, si dhe dy aparate celularë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos