U kërcënua me jetë nga protestuesit e Rrjollit, reagon avokatja Vasilika Hysi: Për pronat vendos gjykata, jo politika

Nga A2 CNN
6 Mars 2026, 17:23 | Aktualitet

U kërcënua me jetë nga protestuesit e Rrjollit, reagon avokatja

Tensionet rreth një prone në zonën e Rrjollit në Velipojë vijojnë të përshkallëzohen, mes disa protestuesve që pretendojnë pronësi dhe trashëgimtarit Fatmir Shpellzaj i cili tregon se ka fituar të gjitha vendimet e gjykatave të formës së prerë.

Pas episodeve të dhunës ndaj familjarëve të këtij të fundit, ka reaguar publikisht edhe avokatja e çështjes.

Në një qëndrim publik, Hysi shprehet se gjatë ditëve të fundit ka pasur presione, intimidime dhe kërcënime, duke theksuar se konflikti i pronës nuk mund të zgjidhet përmes dhunës apo presionit politik, por me ligj e gjykatë.

Reagimi i plotë:

Po ndjek me vëmendje deklaratat e fundit të bëra nga përfaqësues të Partisë Mundësia në lidhje me çështjen e pronës në Rrjoll.

Dua ta them qartë dhe pa ekuivok:

Prona nuk vendoset nga politika. Prona vendoset nga ligji.

Në një shtet të së drejtës, pronari i një toke nuk përcaktohet nga deklaratat politike, nga studio televizive apo nga narrativa emocionale, por nga dokumentet ligjore dhe vendimet gjyqësore.

Çdo përpjekje për ta kthyer një çështje pronësie në betejë politike është e papërgjegjshme dhe dëmton seriozisht besimin te drejtësia.

Në të njëjtën kohë, shpreh solidaritetin tim të plotë me familjen Shpellzaj, e cila së fundmi është përballur me akte të rënda dhune dhe intimidimi.

Dhuna ndaj familjarëve, kërcënimet dhe presioni fizik apo psikologjik nuk kanë asnjë vend në një shoqëri që pretendon të funksionojë mbi bazën e ligjit.

Asnjë konflikt pronësie nuk mund dhe nuk duhet të zgjidhet me dhunë.

Dhuna nuk është argument. Dhuna është krim.

Si avokate që përfaqësoj palën në këtë proces, dua ta bëj shumë të qartë:

Presioni publik apo politik nuk do të ndikojë në ushtrimin e detyrës sime.

Unë do të vazhdoj të mbroj të drejtën e klientit tim vetëm mbi bazën e ligjit, dokumenteve dhe vendimeve gjyqësore.

Sepse në fund, një parim mbetet i pandryshueshëm:

Pronësia nuk fitohet me dhune as me zë të lartë, por me të drejtë.

Nëse dikush thotë se “Prona i takon të zotit”, atëherë ky parim duhet thënë i plotë:

Prona i takon atij që e provon me dokumente dhe me ligj.

Jo atij që flet më fort.

Jo atij që ushtron dhune dhe bën presion publik.

Jo atij që përpiqet ta kthejë drejtësinë në debat politik.

Konfliktet e pronës zgjidhen në gjykatë.

Dhe aty vendos vetëm ligji. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos