Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në disa qarqe të vendit, nga të cilat 7 mbeten ende aktive dhe 2 janë nën monitorim. Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, zjarret janë përqendruar kryesisht në zonat malore me shkurre dhe pyje, duke përfshirë rreth 269 hektarë tokë dhe 30 rrënjë ullinj.
Aktualisht vatra aktive ndodhen në Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Lezhë dhe Korçë. Ndërkohë që vijon prej ditësh të mbetet aktiv zjarri në “Liqenin e Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, i cili po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra.
Në terren janë angazhuar mbi 440 forca operacionale, 45 mjete zjarrfikëse dhe 2 helikopterë. Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe raportim të menjëhershëm të çdo rasti zjarri.
Sipas AKMC-së, aktualisht aktive mbeten këto vatra zjarri:
Qarku Dibër: Në “Liqeni i Luleve”, Parku Kombëtar Lurë, vazhdon aktiv zjarri, i cili po zhvillohet në dy vatra të shkëputura nga njëra-tjetra.
Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat. Relievi shkëmbor është shumë i thyer dhe kjo e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete. Në ndihmë janë edhe 30 efektivë nga FA.
Qarku Vlorë, në Sotiran, në vendin e quajtur “Qafa e Shëngjergjit”, mbi fshatin Dukat, njësia administrative Orikum, bashkia Vlorë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të riaktivizuar dje. Zjarri është shumë intensiv, me shkurre dhe fier që digjen poshtë pyllit me pisha. Flakët të ndihmuara nga era ditën e sotme përfshinë edhe kurorat e pishës duke e bërë gjendjen problematike. Në terren ndodhen edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe helikopteri Cougar, i cili kreu 3 misione.
Qarku Elbasan. Vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një pyll gështenje në fshatin Shmil, njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, në kufi me fshatin Gurakuq, njësia administrative Orenjë, bashkia Librazhd.
Qarku Lezhë. Ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Vazhdon puna për krehjen e të gjithë vatrës së zjarrit. Në operacion u bashkua dhe helikopteri i Forcave të Armatosura, i cili kreu 2 misione.
Qarku Korçë. Në fshatin Vernik, njësia administrative Qendër Bilisht, bashkia Devoll. Zjarri është përhapur me shpejtësi për shkak të erës dhe temperaturave të larta, duke kaluar varrezat e fshatit, dhe duke shkuar pranë kufirit me shtetin grek. Vijon puna e forcave operacionale në terren për shuarjen e zjarrit.
Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë vijon puna për shuarjen e zjarrit në një sipërfaqe me shkurre.
AKMC njofton se në monitorim janë vatrat e zjarrit në:
Bulqizë: Në “Livadhin e Peladhisë”, njësia Zerqan, një vatër aktive mbi fshatin Krajkë, në terren të vështirë me shkurre dhe dushqe.
Qarku Fier. Në fshatin Belishovë, njësia administrative Qendër Dukas, bashkia Mallakastër, ka vazhduar të mbetet nën monitorim vatra e zjarrit të ardhur nga fshati Drenovë.
Zjarret janë përqendruar kryesisht në sipërfaqe me shkurre dhe bimësi, me një total prej mbi 269 hektarësh të djegur dhe rreth 30 rrënjë ullinj.
AKMC thekson se në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 45 automjete zjarrfikëse dhe 440 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë 157 forca nga FA me 21 mjete dhe 2 helikopterë, të cilët kryen 5 misione. Ditën e sotme nga FA në operacionet e shuarjes së zjarreve janë angazhuar 155 forca ushtarake me 21 mjete.
Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve, sot nuk priten reshje në të gjithë territorin.
Pritet nivel rreziku “i lartë” në qarqet Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Korçë, Vlorë dhe Gjirokastër ndërsa në të gjitha qarqet e tjera pritet nivel rreziku “i moderuar”.
Strukturat e mbrojtjes civile vijojnë të jenë të angazhuara pa ndërprerje në menaxhimin dhe shuarjen e vatrave të zjarrit në të gjithë territorin. U bëjmë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë zjarri pranë autoriteteve përkatëse. (A2 Televizion)