Vështirësi në përdorimin e e-Albania, bashkitë hapin zyra në ndihmë të qytetarëve

Nga Marjo Brakaj
21 Korrik 2025, 15:39 | Aktualitet

Vështirësi në përdorimin e e-Albania, bashkitë hapin

Të gjithë qytetarët që kanë nevojë për ndihmë në përdorimin e platformës e-Albania mund t’i drejtohen zyrave të posaçme që janë hapur nga bashkitë në të gjithë vendin, me qëllim ofrimin e asistencës dhe shërbimeve të nevojshme.

Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, zhvilloi sot një vizitë në qytetin e Patosit, ku inspektoi funksionimin e “zyrës me një ndalesë”.

Gjatë vizitës, Balluku u bëri thirrje qytetarëve të paraqiten pranë këtyre zyrave për të marrë asistencë falas për çdo shërbim të nevojshëm në platformën digjitale.

Në këto zyra, theksoi Balluku, ofrohen të gjitha shërbimet, përfshirë edhe shërbimet e Postës, së IdentiTek për marrjen e letërnjoftimeve dhe pasaportave, ashtu si edhe shërbimet që lidhen me bashkitë.

“Të gjitha shërbimet e e-Albania, veçanërisht për moshat e treta që e kanë më të vështirë përdorimin e teknologjisë, ofrohen falas nëpërmjet zyrave me një ndalesë. Çdo zyrë avokatie apo noterie që ofron këto shërbime me pagesë është në shkelje të plotë të ligjit”, theksoi Balluku.

Këto zyra synojnë të lehtësojnë aksesin në shërbimet digjitale për të gjithë qytetarët, duke ndihmuar në mënyrë të veçantë ata që hasin vështirësi teknologjike. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos