Universitetet publike po mbledhin më pak para nga tarifat që studentët paguajnë. Kjo për shkak të pakësimit të numrit të këtyre të fundi. Nga 222 milionë lekë që priteshin të arkëtoheshin deri në fund të qershorit, institucionet shtetërore të arsimit të lartë grumbulluan vetëm 201 milionë lekë. Janë 21 milionë lekë apo 22 për qind më pak para’ të arkëtuara se sa plani.
“Në fakt, rënia e të ardhurave nga tarifat studentore është një pasojë direkt e tkurrjes së numrit të studentëve në universitetet publike. Ky është një sinjal alarmi për sistemin tonë arsimor, pasi lidhet jo vetëm me emigracionin e të rinjve, por edhe me rënien e interesit për studimet në Shqipëri për shkak të mungesës së garancive për punësim dhe cilësisë së ulët të disa programeve”, shprehet për A2 CNN Mirela Karabina, ish-ministre teknike për Arsimin.
Nga tarifat që studentët paguajnë për t’u ulur në auditorët e fakulteteve u mblodhën më pak para se edhe një vit më parë. Në gjysmën e parë të vitit të shkuar u grumbulluan 275 milionë lekë, 74 milionë lekë apo 27 për qind më tepër para se janar-qershorin e këtij viti.
Kjo pasi në vetëm 5 vitet e fundit, numri i maturantë të regjistruar në universitete është tkurrur me gati 6 mijë. Nga rreth 25 mijë në vitin akademik 2019-2020, numri i atyre që u ulën për herë të parë në auditorët e fakulteteve ka rënë në pak më shumë se 19 mijë.
“Kjo rënie prej 74 milionë lekësh në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë tregon një trend të qartë largimi. Universitetet tona po përballen me boshatisje të auditorëve dhe, rrjedhimisht, me sfida financiare gjithnjë e më të mëdha. Nëse kjo situatë nuk trajtohet me politika të mirëfillta reformuese, do të kemi një krizë edhe më të thellë në arsimin e lartë publik”, thotë për A2 CNN Mirela Karabina, ish-ministre teknike për Arsimin.
Vetëm në vitin akademik 2024-2025, më shumë se 11 mijë maturantë aplikuan për të studiuar në universitete jashtë vendit. Kjo në një kohë që qeveria po përpiqet t’i mbajë ata në vend duke i joshur me bursa e lehtësi të tjera nëse zgjedhin disa programe studimi të shpallura si “përparësi kombëtare.” (A2 Televizion)