75 vjet Forcë Ajrore, Nufi: Pas dy dekadash rikthejmë Shkollën e Aviacionit në Vlorë

Nga A2 CNN
30 Prill 2026, 18:21 | Aktualitet

75 vjet Forcë Ajrore, Nufi: Pas dy dekadash rikthejmë Shkollën e

Është kremtuar sot 75-vjetorit të krijimit të Aviacionit Ushtarak Shqiptar. Nga baza ajrore taktike të NATO-s në Kuçovë presidenti i Republikës Bajram Begaj vlerësoi se transformimi i Forcës Ajrore nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e aleatëve, ndërsa vlerësoi edhe modernizimin e Forcës Ajrore.

“Plani i modernizimit të Forcës Ajrore është ambicioz dhe i nevojshëm. Modernizimi i flotës me helikopterë, zhvillimi i kapaciteteve të mbrojtjes ajrore të bazuar në tokë, GBAD, ngritja e Detashmentit të Avionëve pa Pilotë, plotësimi i sistemit të integruar të vëzhgimit ajror dhe transformimi i bazës si Bazë Taktike Ajrore e NATO-s janë investime me të cilat ne kemi hapur një kapitull të ri, një kapitull ku Forca Ajrore nuk është vetëm garant i sovranitetit, por është edhe kontribues aktiv në sigurinë kolektive”, u shpreh presidenti Begaj.

Nga ana e tij ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi foli për rihapjen e Shkollës së Aviacionit në Vlorë pas dy dekadash. Ai theksoi se shkolla e Aviacionit do të përgatisë pilotë ushtarakë dhe civilë, si dhe kontrollorë ajrorë duke ruajtur traditën e aviacionit ushtarak në vend.

“Ringritja e Shkollës së Aviacionit është një hap i domosdoshëm për të garantuar vazhdimësinë e traditës dhe përgatitjen e brezave të rinj të pilotëve dhe specialistëve”, u shpreh ministri Nufi.

75 vjet Forcë Ajrore, Nufi: Pas dy dekadash rikthejmë Shkollën e

Më tej, ministri Nufi u shpreh se modernizimi i kapaciteteve ekzistuese është prioritet strategjik, i lidhur drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare, duke nënvizuar se po punohet për përmirësimin e sistemeve të radarëve dhe forcimin e mbrojtjes kundërajrore. Sipas ministrit, baza ajrore taktike e Kuçovës mbetet një pikë kyçe strategjike për Shqipërinë dhe për vetë Aleancën, që rrit rolin e Shqipërisë në rajon.

“Modernizimi i kapaciteteve janë pikërisht investimi në mjete, në teknologji dhe në sisteme që janë thelbësore për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë me aleatët tanë. Zhvillimi i kapaciteteve të reja, sidomos i mjeteve pa pilot, modernizimi i sistemeve të radarëve, forcimi i mbrojtjes kundërajrore, si elementë shumë të rëndësishëm dhe krucial për realitetin e sotëm të sigurisë. Dhe së fundmi, konsolidimi i aseteve strategjike, si baza ajrore e Kuçovës, ku ne sot kemi zgjedhur pikërisht për të bërë festimin e 75-vjetorit të Forcës Ajrore, i cili nuk është një aset vetëm kombëtar shqiptar, por është edhe një aset për të gjithë Aleancën Ushtarake të NATO-s, një kontributor i paqes dhe një tregues i forcës ushtarake”, u shpreh ministri Nufi.

Duke u ndalur te etapat e historisë së transformimit të Forcës Ajrore, ministri i Mbrojtjes Nufi, vlerësoi kontributin e pilotëve, teknikëve dhe specialistëve që kanë shërbyer me përkushtim e sakrificë, në shërbim të Atdheut, duke dhënë edhe jetën në krye të detyrës.

Më 24 prill 1951, u bë e mundur që të realizohej fluturimi i parë në Hapësirën Ajrore të Republikës së Shqipërisë e cila shënoi dhe datën zyrtare të krijimit të Aviacionit Luftarak Shqiptar.

Në këtë ngjarje historike, piloti i talentuar Peço Polena, realizoi fluturimin e parë me aeroplanin tip JAK-9P, të montuar nga specialistët shqiptarë.

Po në këtë ditë, u krijua edhe formacioni i parë për këtë armë dhe u quajt Skuadrilja e parë Luftarake e Aviacionit, me komandant pilotin Babaçe Faiku e kompletuar me 12 avionë tip Jak-9 dhe dislokim në aerodromin e Laprakës në Tiranë.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos