
Kombëtarja shqiptare do të luajë ndaj Izraelit më datën 3 qershor, në një miqësore në stadiumin Arena Kombëtare. Lajmin e ka zyrtarizuar vetë Federata Shqiptare e Futbollit me anë të një postimi në rrjetet sociale.
Muaji qershor do të sjellë një tjetër provë të rëndësishme për kuqezinjtë, që do të zbrezin në fushë për dy ndeshje miqësore.
Ndaj Izraelit do të jetë testi i parë për muajin qershor, në datën 3, ora 20:00, shkruan A2.
Historiku është në favor të kombëtares izraelite pasi kjo do të jetë përballja e 7 në histori mes dy përfaqësueseve dhe e para në kuadrin e një miqësoreje, pasi të gjitha takimet e mëparshme janë zhvilluar për kualifikueset e Kampionateve Botërore dhe Europiane.
Sa i përket bilancit të ndeshjeve, kuqezinjtë kanë fituar dy nga përballjet dhe kanë humbur katër takime. Ndërkohë, pas Izralit, ashtu siç është njoftuar dhe më parë, më 6 qershor, po në orën 20:00, Shqipëria do të luajë miqësoren e radhës ndaj Luksemburgut, sërish në Arenën Kombëtare, në kryeqytet. (A2 Televizion)