
Banorët e fshatit Gorishovë, në njësinë administrative Cakran të Fierit, kanë ngritur alarmin për një ndotje të rëndë me hidrokarbure që po vazhdon prej tre ditësh në përroin e zonës.
Sipas dëshmive të tyre, uji ka marrë ngjyrë të errët dhe shoqërohet me një erë të fortë nafte, duke e bërë të vështirë jetesën në zonë. Ata shprehen se ndotja po ndikon drejtpërdrejt në tokat bujqësore dhe po dëmton të mbjellat, duke rrezikuar seriozisht ekonominë e familjeve që jetojnë nga bujqësia.
Banorët pretendojnë se shkarkimet vijnë nga aktiviteti i vendburimeve të naftës në zonë. Sipas tyre, përmbajtja e ujit është e rrezikshme. Ata hedhin poshtë pretendimet se bëhet fjalë për solar, duke këmbëngulur se ndotja është shkaktuar nga nafta bruto.
Një tjetër shqetësim i madh për komunitetin është fakti se përroi i ndotur derdhet në lumin Vjosa, çka mund të sjellë pasoja të rënda për ekosistemin dhe mjedisin në një zonë më të gjerë.
Banorët i bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë urgjentisht për të ndalur ndotjen dhe për të marrë masa konkrete për mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të tyre. (A2 Televizion)