Alarmante e kanë përshkruar situatën në Shqipëri në lidhje me përdorimin e drogave dhe uljen e moshës së përdoruesve, eksperti i kriminalistikës Faik Basha dhe mjekja Suela Xhufi. Në studion e Puls në A2 CNN me Bruna Çifligun, mjekja Xhufi tregoi rastin e një pacienti 16-vjeçar i cili e kishte nisur marijuanën që në moshën 9-vjeçare dhe aktualisht ishte përdorues i kokainës.
“Politikat e personave që merren e shohin si biznes dhe në momentin që fusin përdorimin e moshave të vogla që në klasë të gjashtë. 9 vjeç ka qenë një rast. Ai ishte përdorues i kokainës dhe kishte filluar që 9 vjeç cigaren e marijuanës dhe nuk ishte nga Tirana, ishte nga zonat rurale të veriut. Ka shumë fëmijë nga këto zona që e fillojnë drogën në moshë të vogël”.
Duke folur për efektet që droga kishte lënë tek ai, mjekja theksoi se ai ishte një fëmijë shumë agresiv, me bipolaritet dhe me çrregullime të humorit.
“Ai ishte një fëmijë me bipolaritet, shumë agresiv, me çrregullime të humorit e nivel inteligjence të ulët në trend të skizofrenisë, nuk kishte dëshirë për t’u vetëzhvilluar, kishte idenë që të gjithë rreth tij e kishin fajin dhe të gjithë duhet të punonin për të. Nuk e kishte fare ndjesinë e fajit”.
Sipas Xhufit, është rrjet shumë i mirëorganizuar i furnizimit dhe shitjes së drogës, duke bërë që ajo të vijë me telefon, më shpejt se një picë.
“Kam pacientë përdorues të kokainë që janë jo vetëm përdorues por edhe shitës. Po flasim për persona që janë pasuruara shumë në vite dhe ky pasurim ndikon në strukturat shtetërore. Kemi aksesisbilitet sh të lartë. Ti mund të bësh politika sa të duash, por kur ke akses për të marrë substanca t’i mund të marrësh më vonë një picë, sesa drogën. Droga të vjen me telefon. Është një rrjet shumë i mirëorganizuar”, tha mjekja në Puls në A2 CNN.
Edhe për ekspertin e kriminalistikës Faik Basha, dëmi më i madh që i vjen Shqipërisë nuk janë luftërat, por drogat. Në Puls në A2 CNN, ai tha se dëmi është i parikuperueshëm dhe ka vështirësi në luftën ndaj këtij fenomeni, ndërkohë që SHBA ka nisur një luftë të ashpër ndaj krimit të organizuar që sjell drogë në Amerikë.
“Shqipëria nuk përjashtohet nga situata rajonale e globale. Duhet pranuar se dëmi më i madh që i vjen Shqipërisë nuk janë luftërat, por janë drogat. Dëmi është i parikuperueshëm dhe ka vështirësi në luftën ndaj këtij fenomeni. Nëse në luftë ndërhyhet e bëhet një pezullim i përkohshme dhe i gjendet receta, ndërsa lufta me këtë fenomen është shumë e vështirë, SHBA e ka parësore se ka vrarë shumë më shumë njerëz. SHBA janë në luftë të brendshme ku po vritet çdo të ri nga përdorimi dhe efektet. SHBA ka filluar një luftë të ashpër me krimin e organizuar që sjell këtë drogë në Amerikë. Shqipëria nuk prodhon kokainë, por kanabis. Prodhuesit kryesorë janë vendet e Amerikës Latine dhe i kanë dhënë rrugë shpërndarjes sasia më e madhe në SHBA futet nga Amerika e Jugut”, tha Basha.
Në Shqipëri, sipas tij, vështirësia nuk është për të kapur shpërndarësit, por furnizuesit, ndërsa konfirmoi se vëmendja është shtrirë edhe në shkollat 9-vjeçare krahas atyre të mesme.
“Shqipëria nuk e prodhon por ka ndikuar me burime njerëzore është bërë e rrezikshme sasia e lidhjet që qarkullojnë. Vështirësia nuk është për të kapur shpërndarësit, por furnizuesit ata që bëjnë të mundur funksionimin e të gjithë mekanizmit. Kemi patur raste edhe në shkollat 9-vjeçare janë konstatuar grupe që funksionojnë. Në shkollat mesme ka qenë në luftë të vazhdueshme por tani vëmendja është shtrirë në shkollat 9-vjeçare”.
(A2 Televizion)
