Mëngjesin e sotëm, në kalatën nr. 5 të Portit të Durrësit është ankoruar super jahti “Andromeda”, një mjet lundrues prej 107 metrash në pronësi të miliarderit ruso-izraelit Yuri Borisovich (Bentsionovich) Milner.
Fillimisht i menduar të emërtohej Uliksi, jahti u konceptua si një prej mjeteve më të sofistikuara për udhëtime të gjata dhe luksoze në det të hapur. Megjithatë, pronari i tij i parë ndërtoi më pas një tjetër jaht të ngjashëm, të cilit i vendosi emrin e heroit homerik, duke ndryshuar destinacionin e emërtimit fillestar për këtë mjet në Andromeda.
Jahti do të furnizohet në port me rreth 250.000 litra karburant, përpara se të vazhdojë udhëtimin drejt Dubrovnikut, Kroaci. Përpara ndalesës në Durrës, Andromeda është ankoruar në brigjet e Sardenjës, Itali.
Me një vlerë që shkon në rreth 250 milionë dollarë, Andromeda ka një kosto vjetore mirëmbajtjeje që kap shifrën e 25 milionë dollarëve. Ky jaht i nivelit të lartë përfaqëson një nga investimet më të mëdha private në sektorin e mjeteve lundruese.
Yuri Milner, pronari i jahtit, është një prej figurave më të njohura në botën e teknologjisë, i cili ka qenë bashkëthemelues apo investitor në kompani gjigande globale si Facebook, Twitter, Alibaba, Spotify dhe shumë të tjera. (A2 Televizion)