Kryetari i Gjykatës së Posaçme, Erion Bani, deklaroi se siguria në gjykatat e vendit mungon në 99% të rasteve. Teksa bëri homazhe për gjykatësin e Apelit Astrit Kalaja, të varë të hënën në sallën e gjyqit, Bani tha se të gjitha gjykatat në vend kanë nevojë për godina të reja, që të garantohet siguria.
“Jeni dëshmitarë vetë, sepse jeni gazetarë që mbuloni fushën e drejtësisë dhe e konstatoni që siguria, pothuajse në 99% të rasteve të gjykatave nuk i plotëson kushtet. Asnjë gjykatë nuk i plotëson kushtet, pasi të gjitha duhen ndërtuar nga fillimi që të plotësojnë kushtet. Duhet të kuptojmë që pa siguri të gjykatave, nuk mund të ketë pavarësi të gjyqtarit në dhënien e vendimit. Pasi një gjyqtar, nëse nuk është i qetë në marrjen e vendimit, nuk të japë drejtësi”, tha Bani, përcjell A2 CNN.
“Por duhet të kuptojmë edhe që, kur flitet për sigurinë e gjykatave, nuk flitet vetëm për sigurinë e gjyqtarit, ju e kuptoni që gjyqtari është ai që merr vendimin, por aktorët janë prokurori, avokati, i pandehuri, gazetari që qëndron në sallë, palët e tjera... Pra është moment reflektimi për të gjithë që, nëse nuk ekziston siguria, kushdo ndihet i rrezikuar. Së pari të gjitha gjykatat duhen ndërtuar nga e para dhe me sa di ka pasur kërkesa për godina të reja. Dhe ata që kanë përgjegjësinë për të siguruar godinat dhe financimin, ky është moment reflektimi që, ka ardhur koha që nuk mund të lihen gjykatat në këtë situatë”.
Bani shtoi se të enjten do të ketë një mbledhje të gjithë gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë, ku do të adresohen të gjitha problemet në organet kompetente. “Do të shikohet, kushdo organ që nuk ka përmbushur detyrën, do të merren masa të mëtejshme. Së pari, do të fillojë nga gjykatat dhe pasi të përmbushin detyrën e vet do të kërkojnë llogari një për një për të gjitha institucionet që nuk kanë përmbushur detyrën e tyre. Aktet ligjore që nga viti 2010 thonë se në të gjitha sallat e gjykimit duhet të ketë prani të forcave të policisë, që të garantohet siguria. Ky është një fakt. Arsyeja pse nuk janë përcaktuar këto, do të adresohen dhe do të diskutohen”, u shpreh ai. (A2 Televizion)