Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një prej pallateve të një kompleksi banimi përballë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pasditen e së martës, në Tiranë.
Flakët, që dyshohet të kenë nisur pas orës 16:50 në një prej bizneseve të katit të pare, u shpërndanë me shpejtësi. Në më pak se një orë, gjithë fasada e pallatit 12-katësh u përpi nga flakët, shkruan A2.
Re të dëndura tymi mbuluan zonën dhe shkaktuan jo pak panik e frikë tek banorët e pallatit dhe të godinave ngjitur, që mundën të evakuohen në kohë. Disa prej tyre, vetëm falë ndihmës së zjarrfikësve.
Intensiteti i zjarrit dhe materiali lehtësisht i ndezshëm i fasadës së ventiluar nuk i dha kohë zjarrfikësve për të ndalur zgjerimin e flakëve. Kundër tyre ishin edhe rrugicat e ngushta, që vështirësuan afrimin e mjeteve zjarrfikëse.
Për shuarjen e flakëve këtë herë pati edhe ndihmë nga ajri, përmes një helikopteri COUGAR të Forcave të Armatosura.
Fatmirësisht, zjarri nuk shënoi viktima. Autoritetet spitalore informuan për më pak se 10 persona të lënduar, mes të cilëve edhe efektivë të zjarrfikësve, të cilët u vizituan edhe nga Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari.
Sipas burimeve, dy banore të pallatit kanë pësuar djegie sipërfaqësore, të konsideruara nga mjekët si të lehta, ndërsa të tjerët kanë pasur probleme asfiksie për shkak të tymit, por të gjithë pa asnjë rrezik për jetën.
Një grup hetimor nisi prej mbëmjes së të martës të mbledhë prova për të lokalizuar vatrën e zjarrit dhe shkakun e tij.
Pas orës 20:00 zjarri u vu nën kontroll, por nuk mungoi riaktivizimi i disa vatrave të vogla në godinë. (A2 Televizion)