Zgjedhjet në Kosovë, KQZ zbulon pjesëmarrjen në votime deri në orën 17:00

Nga A2 CNN
12 Tetor 2025, 17:50 | Politikë

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ zbulon pjesëmarrjen në votime deri

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës ka përditësuar të dhënat për pjesëmarrjen në votime në zgjedhjet lokale të kësaj të diele. Deri në orën 17:00 sipas KQZ në Prishtinë kanë votuar 655.710 qytetarë apo 32.38 përqind. Për llogaritjen e kësaj shifra kanë raportuar 2,411 nga 2,571 qendra votimi.

Të drejtën e votës këto zgjedhje e kanë më shumë se 2 milionë shtetas. Procesi zgjedhor ka nisur në ora 07:00 dhe përfundon në ora 19:00.

Sakaq kryeministri në detyrë dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kur na ndajnë më pak se dy orë nga mbyllja e qendrave të votimit, u ka bërë thirrje qytetarëve të mos humbin kohë por ta shprehin vullnetin e tyre për të zgjedhur drejtuesit lokalë.

Zgjedhjet në Kosovë, KQZ zbulon pjesëmarrjen në votime deri

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Kurti nënvizon se shprehja e besimit me votë është shenjë e vullnetit demokratik.

“Qytetarë të Republikës, kanë mbetur më pak se dy orë nga e drejta jonë për të vendosur për të ardhmen e komunave. Në çdo qytet, në çdo fshat e në çdo lagje, gjithandej nëpër komuna, thirrni familjarët, miqtë dhe të afërmit që të dalim sa më shumë për të votuar. Ta shfrytëzojmë këtë ditë të rëndësishme të demokracisë për t’i dhënë drejtim të mirë komunave tona dhe të ardhmes sonë të përbashkët. Nga Prizreni në Mitrovicë, nga Gjakova në Gjilan, nga Peja në Ferizaj, e deri në kryeqytetin tonë, Prishtinë, ashtu që të ndihet fuqia juaj në mbarë Republikën”, shprehet Kurti.

E njëjta thirrje ka ardhur dhe nga kampi i PDK. Nga selia e partisë, Sekretarja e Përgjithshme, Vlora Çitaku doli në një konferencë për media, ku tha se pjesëmarrja e qytetarëve në votime është e kënaqshme dhe se mbështetja për PDK-në po rritet dukshëm.

Çitaku ka konfirmuar se komunat të cilat shkojnë pa balotazh janë komunat e PDK-së. “Në shumë komuna, raportet që po marrim nga terreni janë tej mase pozitive. PDK po prin bindshëm dhe me epërsi të dukshme, falë punës, përkushtimit dhe besimit të qytetarëve tanë”, tha ajo. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos