
Kësti i dytë i pagesave për fermerët në kuadër të Skemave Kombëtare të Mbështetjes për vitin 2025 është kaluar deri më 31 dhjetor, në përputhje me procedurat financiare në fuqi. Në një njoftim të shpërndarë për mediat AZHBR informon se fondet janë transferuar në bankat e nivelit të dytë dhe po kalojnë gradualisht në llogaritë bankare të fermerëve përfitues.
“Me miratimin e Aktit Normativ nr. 11, datë 19.12.2025, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 115/2024, Për buxhetin e vitit 2025, të ndryshuar”, botuar në Fletoren Zyrtare nr. 239, datë 23.12.2025, buxhetit të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural i është shtuar fondi prej 1,960,406,000 lekësh. Ky fond i shtuar është i destinuar për kryerjen e pagesave në kuadër të Skemave Kombëtare të Mbështetjes, masat 1–8, për vitin 2025”, njofton AZHBR.
Sipas njoftimit në ditët e fundit të vitit është realizuar kalimin e 50% të mbetur të pagesave, të cilat aktualisht po shpërndahen për rreth 65 mijë fermerë përfitues.
(A2 Televizion)