
Situata e krijuar nga kushtet atmosferike të ditëve të fundit në Qarkun Shkodër vijon të jetë nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa institucionet vendore dhe strukturat e emergjencave civile ndodhen në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo zhvillimi të mundshëm.
Në Bashkinë Shkodër janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë, por autoritetet bëjnë me dije se të gjitha kapacitetet e bashkisë janë të angazhuara për menaxhimin e situatës. Ndërkohë, në Bashkinë Vau i Dejës aktualisht nuk raportohen reshje.
Reshje të dendura janë shënuar gjatë natës në Bashkinë Malësi e Madhe. Në qytetin e Koplikut është evidentuar prani uji në rrugë, por situata paraqitet në përmirësim pasi uji po tërhiqet gradualisht. Probleme janë regjistruar edhe në fshatin Kamicë, ku për shkak të prurjeve nga Përroi i Thatë janë shkaktuar dëmtime në rrugë, duke vështirësuar përkohësisht qarkullimin në aksin Kamicë–Flakë, shkruan A2 CNN.
Në Fushë-Arrëz dhe Pukë reshjet vijojnë, në Pukë të shoqëruara me erë të fortë, por pa problematika serioze deri tani. Sipas DRUK Lezhë, nivelet e lumenjve Buna, Drin, Kir dhe Gjadër mbeten nën kuotat e rrezikut, ndërsa hidrovoret e Velipojës janë në gatishmëri.
Probleme janë shënuar edhe në disa akse rrugore, si Bogë–Theth, ku ka dëborë në Qafë Thore, dhe Hani i Hotit–Vermosh, ku po pastrohen inerte. Ndërprerje të energjisë elektrike janë raportuar në disa zona, ndërsa ekipet e OSHEE-së po punojnë për rikthimin e furnizimit. (A2 Televizion)