Ballkani “bashkohet” në Elbasan, kremtohet dita e Shën Joan Vladimirit

Nga Gazmend Janku dhe Belinda Ruçaj
4 Qershor 2025, 19:06 | Aktualitet

Janë pelegrinë, jo vetëm shqiptarë, por edhe nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, të cilët kremtojnë ditën kushtuar Shën Joan Vladimirit.

Shumë prej tyre, ashtu si edhe të parët, e kanë kaluar natën në manastirin e ndërtuar në nder të Shën Joan Vladimirit, në Shijon të Elbasanit, duke ndezur qirinj dhe drejtuar lutje.

Këtë katër qershor, mesha u drejtua nga Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse, Imzot Joan Pelushi. Festës, simbol i bashkëjetesës fetare, nuk i munguan as përfaqësues të shtetit të Malit të Zi, të cilët thanë se të tilla ngjarje zbehin ndasitë mes popujve të Ballkanit, shkruan A2 CNN.

“Flasim për një figurë jo vetëm fetare dhe historike, por edhe për një qeveritar, ndër të parët, i cili gjithë jetën e tij përcolli mesazhe paqeje për të gjithë popujt e Ballkanit. Figura e Shën Vladimirit është një simbol i bashkëjetesës fetare, por do të ishte mirë të kishte më tepër personazhe apo ngjarje që të na sillnin më afër ne, popujt e Ballkanit.”

Shën Joan Vladimiri, i lindur në fshatin Vladimir të Krajës në Malin e Zi, jetoi në shekullin XI. Ai themeloi manastire, kisha dhe institucione bamirësie, duke kontribuar në përhapjen e besimit të krishterë. Eshtrat e tij u ruajtën fillimisht në Malin e Zi dhe më vonë u transferuan në Durrës, e më pas në Manastirin e Shijonit në Elbasan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos