Shtatë finalistët e fazës së dytë të programit “Hospitality Albania” prezantuan sot përpara një jurie ndërkombëtare projekt-idetë arkitekturore për transformimin e rezidencave të amortizuara qeveritare në destinacione ekskluzive për turizmin elitar dhe pritjen e personaliteteve të rëndësishme.Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama deklaroi se konkursi i organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve (KSHI) ka në fokus rimëkëmbjen e vilës së diktatorit në Vlorë dhe një tjetër rezidencë qeveritare në Velipojë.
“Ky është rasti i dy projekteve për të cilat bëhet konkursi i sotëm. Njëri për vilën e udhëheqësit dhe diktatorit në Vlorë dhe një tjetër rezidencë qeveritare në Velipojë. Rrugë e re, që ne po e shkelim, besoj me sukses, por mbi të gjitha ku po shikojmë potencialin e madh që ka vënia në shfrytëzim e aseteve shtetërore për ta përfshirë publikun përmes shtetit si një palë e interesuar, duke ndryshuar hap pas hapi edhe formulat e ndërveprimit me privatin, të cilat deri dje kanë qenë shumë bazike”, u shpreh Rama, shkruan A2 CNN.
Ai solli në vëmendje modernizimin e dy rezidencave në Tiranë dhe theksoi se modeli i ndjekur është ai i praktikave europiane, ku shteti merr pjesë si pronar dhe partner në sipërmarrje, për të krijuar një infrastrukturë të re financiare që gjeneron të ardhura dhe rrit kapacitetet publike për investime.
“Duke e vënë shtetin në rolin e një pronari të zakonshëm si palë në sipërmarrje po zhvillojmë një infrastrukturë të re financiare për shtetin duke u bazuar te modelet më të mira në Evropë, simotrave të agjencisë së Korporatës Shqiptare të Investimeve dhe që në Itali apo Spanjë zotërojnë asete dhe marrin të ardhura mbresëlënëse që vihen në dispozicion të interesit publik për të investuar në infrastrukturë dhe përfshirë kapacitetet shtetërore në rritjen e ekonomisë dhe në përfitimin nga kjo rritje”, u shpreh kreu i qeverisë.
(A2 Televizion)