
Zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka mbledhur me urgjencë në Prefekturën e Fierit Shtabin e Emergjencave Civile, për të analizuar situatën e përmbytjeve në qarkun Fier.
Gjatë mbledhjes, Balluku theksoi se situata paraqitet problematike veçanërisht në zonën e lumit Vjosë, ku prurjet e larta kanë shkaktuar përmbytje dhe rrezik për zona të banuara dhe tokë bujqësore, shkruan A2 CNN.
Ministrja kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat vendore dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e emergjencave, duke theksuar nevojën për prezencë të vazhdueshme në terren dhe ndihmë konkrete për qytetarët e prekur, veçanërisht në Bashkinë Fier.
Po ashtu, Balluku udhëzoi që njësitë vendore që aktualisht nuk paraqesin problematika nga përmbytjet të vihen në dispozicion për të ndihmuar zonat më të prekura, me mjete, forca njerëzore dhe logjistikë, në funksion të përballimit të situatës së krijuar. (A2 Televizion)