
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj situatës së përmbytjeve në vend, duke akuzuar qeverinë se po refuzon të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, me qëllim shmangien e kompensimit të dëmeve për qytetarët.
Sipas Berishës, përmbytjet nga reshjet e shiut kanë marrë përmasa dramatike në mbarë vendin, ndërsa qeveria, sipas tij, po qëndron indiferente përballë një situate që kërcënon jetën dhe pronën e mijëra qytetarëve.
“Në kushte kur mijëra e mijëra banesa dhe dhjetëra mijëra qytetarë kanë shtëpitë dhe bizneset e tyre të përmbytura, qeveria nuk shpall gjendjen e fatkeqësisë natyrore, e cila do të detyronte mobilizimin e të gjitha burimeve për shpëtimin dhe ndihmën e banorëve”, tha Berisha.
Berisha u ndal veçanërisht te situata në Durrës, duke theksuar se përveç reshjeve të dendura, përmbytjet janë favorizuar nga gjendja katastrofale e kanalizimeve dhe hidrovorëve, konkretisht ai i Porto Romanos dhe ai i Hamallajt, ku sipas tij një pjesë e portave nuk funksionojnë, ndërsa pompat janë të djegura.
“Bllokuar ose nuk janë pastruar, hidrovorët nuk funksionojnë dhe kjo ka favorizuar në mënyrë të paprecedent përmbytjen e shtëpive dhe bizneseve.”
Kreu i PD-së e cilësoi tepër kërcënuese situatën edhe në zonën e Novoselës, duke mbështetur kërkesën për evakuim të banorëve dhe duke paralajmëruar për rrezikshmërinë e lartë të lumit Vjosë.
“U bëj thirrje banorëve të evakuohen sa më parë, sepse Vjosa është një nga lumenjtë më të rrezikshëm për sa i përket befasive të prurjeve.”
Ai përmendi gjithashtu përmbytje të shkaktuara nga dalja nga shtrati e lumenjve të tjerë, si lumi i Drojës, duke theksuar mungesën e pranisë së qeverisë në zonat e prekura.
Në përfundim, Berisha deklaroi se mosshpallja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore është e qëllimshme, pasi sipas tij do të detyronte qeverinë të kompensonte dëmet e qytetarëve.
“Kjo gjendje i plotëson të gjitha kriteret për t’u shpallur fatkeqësi natyrore, por qeveria nuk e bën sepse nuk do t’i kompensojë qytetarët për humbjet e tyre.” (A2 Televizion)