
Strukturat vendore të emergjencave civile, Policia e Shtetit, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, si dhe një ekip i Forcave të Armatosura, ndodhen në monitorim të vazhdueshëm të situatës, duke qenë në gatishmëri të plotë për përballimin e çdo zhvillimi të mundshëm.
Sipas të dhënave zyrtare, deri më tani si pasojë e daljes nga shtrati të Vjosës janë evakuuar rreth 200 krerë bagëti, ndërsa shërbimet shëndetësore janë në lëvizje të pandërprerë dhe të gatshme për të ofruar ndihmë në çdo moment.
Gjithashtu, 12 familje janë evakuuar, ndërkohë që autoritetet kanë përgatitur planin për evakuime të tjera, në rast se situata përkeqësohet.
Autoritetet bëjnë me dije se kanalet kulluese janë pastruar dhe po kontrollohen në mënyrë të vazhdueshme, ndërsa të gjitha strukturat përkatëse mbeten në gatishmëri të plotë për të reaguar ndaj çdo nevoje të banorëve dhe për të garantuar sigurinë e tyre.
Banorët e evakuuar janë akomoduar në konviktet e qytetit, ndërsa po vijon bashkëpunimi edhe me hotelet, me qëllim sigurimin e kapaciteteve shtesë të strehimit, në rast të rritjes së nevojave. (A2 Televizion)