
Grabitja e bankës së nivelit të dytë në zonën e ish-Parkut një ditë më parë në Tiranë, për ekspertin e sigurisë, Bedri Elezi, është një alarm serioz në lidhje me sigurinë publike në Shqipëri. Në një lidhje direkte me Dita Jonë në A2 CNN, ai theksoi se duhet të merren masa konkrete që të mos rrezikohet jeta e qytetarëve.
“Siguria publike në Shqipëri është problem serioz, këto rastet e rrezikimit të qytetarëve përmes vjedhjeve nën kërcënim dhe ky rast e raste të tjera janë alarme serioze se në Shqipëri duhet të merren masa konkrete për sigurinë publike. Vjedhja e plaçkitja e bankës janë të rrezikshme; e para se personat duan të shmangin arrestimin dhe e dyta se mund të rrezikojnë dëshmitarët për t’ia mbyllur gojën. ka Ndodhur në të kaluarën që dëshmitarët janë më të rrezikuar”, u shpreh Elezi në Dita Jonë në A2 CNN.
Duke qenë se bankat janë zona me rrezikshmëri të lartë, eksperti i sigurisë thekson se në vendin tonë nuk ka protokoll të mjaftueshëm të sigurisë.
“Njësitë e inteligjencës të bëjnë matje në lidhje me shkallën e rrezikshmërisë në zona të caktuara. Bankat janë zona me rrezikshmëri të lartë. Ne kemi parë që nuk ka protokoll të mjaftueshëm të sigurisë. Në Shqipëri unë kam parë që e gjithë siguria organizohet mbi baza biznesore. Biznesi merret me sigurinë dhe kjo nuk korrespondon me sigurinë faktike. Ky rast të shërbejë me një plan të ri parandalues. Personat që merren me këto krime e kanë parasysh nivelin e sigurisë në banka dhe përpjekja e tyre mund te jetë e sfidueshme”, tha Elezi në Dita Jonë në A2 CNN.
Për të rritur sigurinë në banka, eksperti Elezi sugjeron pajisjen e tyre me detektorë, si një kërkesë që duhet të vijë nga autoritete nga dhënia e licencës e deri te marrja e masave dhe zbatimi i tyre.
“Personi që është i angazhuar si security është një person që mban rendin të organizimit të brendshëm për persona agresivë në çështje teknike dhe jo në aspektin organizativ e të vjedhjes. Kur jepen licencat për bankat duhet të kenë parasysh çështje të sigurisë, sepse rrezikohen qytetarët e punonjësit dhe duhet që nga banka kërkohen standardet, duke siguruar pajisje siç janë detektorë për konstatimin e gjendjes faktike në lidhje me posedimin e armëve jo vetëm armëve të zjarrit por edhe armë të ftohta. Kjo duhet të jetë një kërkesë që vjen nga autoritetet që merren me rregullimin administrativ të biznesit dhe më pas te zbatimi i tyre. Çështja lidhet me protokollin e sigurisë i cili shihet si standard që nga dhënia e licencës e deri te masat për kontrollin dhe zbatimin e tyre”, theksoi ai në Dita Jonë në A2 CNN.
(A2 Televizion)